DASHNIA JEME E PARË, JAM UNË

Na kanë thanë se trupi jonë
asht i pastër vetëm i mbulum,
në të kundërt konsiderohet si mjet provokues
e si i tillë na njollos me turp.

Na kanë thanë se virgjëria
na ban me ecë kryenaltë
e se një vajzë me ma shumë se një partner
përgjatë rrugëtimit seksual dhe jo vetëm, kthehet në mbeturinë njerëzore
e nuk i duhet gja askujt.

Na kanë thanë se gjatësia e fundit (mbi apo nën gju)
asht arma me fitu betejën e respektit.
Disa centrimetra stofë na shpëtojnë ose fundosin.

Na kanë thanë se liria jonë
ka një orar të caktum
dhe se itinerari pasiv shpi-shkollë-shpi
na mbron nga rreziqet e burrave të huaj.

Na kanë thanë se litarët rreth fytit
janë për të mirën tonë
e se në vend të besimit
imponohet si i nevojshëm kontrolli.

Na kanë thanë se me dasht vedin fort
asht gabim, egoizëm,
vetmi e varfni shpirtnore e përbindshme.

Na kanë thanë
se emni jonë i pagëzimit asht Sakrifica:
një grua përsëmbari
duhet me ditë me dhan pa prit asgja në kthim.

Na kanë thanë se gratë e mira
janë ato që në vend të karrierës
zgjedhin gjithmonë e pa dyshim familjen
dhe se poltronen e nderit në sytë e shoqnisë
e fiton ajo grua ,kuzhina e të cilës
shkëlqen gjithmonë,
ajo grua burri i të cilës nuk del nga shpia me këmishë të pahekurosun,
ajo grua që punon e prodhon si një kafshë devotshmërisht punëtore
me buzën në gaz, pa iu ndigju zani kurrë,
pa u anku, pa u revoltu asnjëherë.

Na kanë thanë se para nesh
i shërbehet bashkëshortit, babës, vëllait.
Në fund ne mbushim pjatën tonë me dorën tonë.

Na kanë thanë se gruaja ka fut shejtanin në shishe,
se për një grua janë vrarë me mijëra burra,
se një grua asht mollë sherri dhe në vend të zemrës i rreh faji …

Na kanë thanë se fëmijët tonë
janë fëmijët e barkut tonë.
Gjakun, mbiemnin, shpinë e gjejnë tek i ati.

Na kanë thanë se një grua
vlen gjithmonë ma pak se burrat rreth saj, vetëm se jeta e ka prit si grua.

Epo,na kanë rrejt.

Po,na kanë rrejt krejt pabesisht.

Na kanë rrejt aq bukur
sa disa prej nesh besojnë kambë e krye
edhe sot në përrallën komike të borëbardhës
që pret ta nxjerrë nga gjumi puthja e një princi.

Na kanë rrejt aq kujdesshëm
sa secila prej nesh
ka një frikë të pashpjegueshme
për me kapërcy muret e izolimit.

Na kanë rrejt
e pretendojnë që ne me kry të njajtin akt
absurd e të përçudshëm me vajzat tona,
me mbesat tona, me shoqet tona.

Na kanë mësu didaktisht
me ndreqë çdo rrëmujë
përveç rrëmujës në jetën tonë.

Na kanë mësu
se pushteti dhe e drejta
i takon gjithmonë një burri,
vetëm sepse asht burrë.

Na kanë mësu me besu
në dicka që kanë gatu vet
e për ta çu deri në fund misionin e ”mbushjes së mëndjes”
kanë shpikë fjalë si tradita dhe zakoni
apo ma keq, shesin si të vërtetë universale zbritjen e këtyne urdhnesave
të padiskutueshme prej sofrës së Zotit”.
Nëse asht kështu, më lëjoni t’ju them,
që Zoti i tyne s’më ngjall asnjë simpati
e as interes.

TRUPI jonë, GOJA jonë, JETA jonë
asht cmendunisht, intimisht,
plotësisht vetëm e jona.

Kjo asht e vërteta që na kanë fsheh.
Prandaj ka një derë të hapun,
dy hapa larg meje,
për këdo mundohet me m’zbut,
me m’stërvit ose me m’përdor
për arsye estetike.

Unë nuk jam gojë që mbyllet.

Unë zemërohem, indinjohem, kundërshtoj sepse jeta e një gruaje nuk duhet të jetë kurrsesi një shërbim ushtarak i përjetshëm.

Jeta e një gruaje
nuk ka pse me i la botës borxhe
që s’janë të sajat.

Jeta e një gruaje nuk asht fleta e bardhë,
mbi të cilën ju mund të shkruani pa frena skenarin që ju lan me ujë të shenjtë.

Unë zemërohem, indinjohem, kundërshtoj sepse nuk më ngijnë dramcat
që herë mbas here mi hedhni në shenjë pajtimi.

Unë zemërohem, indinjohem, kundërshtoj sepse s’më mjaftojnë qoshet
që më keni caktu pa më pyt.
Jam ma e madhe se burrnia juaj.

Unë s’jam kundër jush
nëse ju të parët s’jeni kundër meje.

Unë s’ju luftoj
nëse ju të parët nuk shpallni luftë.

Unë do vazhdoj t’ju hedh në valle
derisa të pranoni se në këtë kërcim
të dëshpërum drejt jetës,
jena të gjithë kërcimtarë të të njajtit rreth.

Ju burra që pretendoni se jeni gjinia e fortë,
se mbretërit e çdo fushe
kanë të përbashkët me ju një organ gjenital,
më bani me qesh.
Jeni thjeshtë e pastër
viktimat e para të sulmit tuaj.
Mbasi keni lujt të fortin për shumë kohë,
ju kushton me u shty ma tutje e me lëshu vend.

Ju gra besnike që i mbani ison burrave tuaj (edhe atëherë kur nuk iu asht ofru zgjidhje tjetër)
unë e di që brenda vedit vrisni cdo ditë
nevojën e pangishme për liri.
Shkruj, edhe për ju,
sepse kjo asht ndihma e parë që mund të jap.

Në fund, pa kërku lejen e askujt,
them me bindje se me dasht vedin
na mëson me besu në dashni…
jo në dashninë e trazume me lugë guri,
por dashninë që nuk ven dry te liria,
te fjala,te zgjedhja.

Prandaj ,
kur njerëzit më pyesin :
-se cila asht dashnia jeme e parë,
përgjigjja vjen si rrufe: Unë.

Me gojë e me shpirt plot pranoj:
dashnia jeme e parë, jam Unë.

 

Poemë nga : Ada Halilaj

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s