E dashur F!

 

Tani që po të shkruaj jam gjysmështrirë në shtratin e motrës, sepse pranë tij ka një prizë ku mund të marrë energji kompjuteri im i vogël sa një bllok shënimesh. Derën e jashtme e kam lënë hapur, sepse këtu ku banoj unë, në katin e tretë të një pallati afro 40-vjeçar, nuk ka kondicioner dhe kjo është e vetmja mënyrë praktike për të mposhtur vapën tani për tani, derisa të blejmë një ventilator për këto ditë të nxehta që mezi durohen. Vras mendjen sesi po e mposht ti vapën dhe nëse e ndjen po aq sa unë në çdo pore të lëkurës e në çdo rrënjë qimesh. Eh, me siguri, ti duhet të kesh një mënyrë shumë më të sofistikuar përballimi; gjithmonë e ke pasur, gjithmonë ke qenë më e zonja me gjërat praktike sesa unë.

Më fal për hyrjen e zgjatur dhe të panevojshme të kësaj letre që as vetë nuk e di pse u ula ta shkruaj pikërisht tani, edhe pse, praktikisht kam shumë gjëra për të bërë. Prit… Tani që po e rimendoj, e di që nuk mund të bëj asgjë tjetër përveçse të shkruaj këtë letër… dhe kam një nevojë të papërshkrueshme për ta bërë. Së pari, më lejo të të them se këtë letër, nuk kam ndërmend të ta dërgoj. Ndaj, nuk do dal të blej as zarf, as pullë poste. Kjo letër më përket vetëm mua dhe unë do ta përtyp dhe ripërtyp derisa të gjej paqe. Nuk di a ta quaj guxim apo lajthitje, por letra ime premton rikthimin e një lloj ekuilibri të prishur këtu e sa kohë.

Së dyti, po rendis disa gjëra që kam në kokë (pa e ditur as vetë nga dolën tani papritur dhe me dyshimin se një pjesë do të kthehen prapë mbrapsht). Por… po e provoj… edhe pse do të doja të të kisha përballë e të të rrëfehesha si para shumë vitesh, të flisja papushim derisa ti të më riktheje në realitet vetëm me një lëvizje dore… por nuk të kam dhe as do të të kem përballë, madje je më larg sesa unë e pandeh, dhe pse ti banon në mendjen time prej kohësh. Kam vetëm një ekran të bardhë dhe një dëshirë të papërmbajtshme për të folur me TY.

Të kujtohet kur u takuam për herë të parë? Ishte viti 1999 dhe dikush vendosi që ne të bëheshim shoqe. Ai moment ishte një përzierje mes kuriozitetit dhe turpit, por edhe nevojës për të pasur dikë pranë në ditë të mira e të këqija (këtë të fundit nuk mund ta mendoja atëherë, si tani). Dhe kështu ngjau: kurioziteti mundi turpin dhe ne i lidhëm gishtërinjtë në një miqësi që do të zgjaste 12 vjet. Sot, do më kritikoje (si atëherë) po të tregohesha plotësisht e sinqertë e të të thoshja që kujtimet e mia me ty janë si re e mjegull. Ti nuk ke kujtesë të mirë, do më thoshje me një fytyrë gjithë habi dhe zhgënjim. Ndërsa unë do të përsërisja për të disatën herë arsyen time të vakët: Truri im më mbron përmes harresës… Megjithatë, do të vazhdoja, në përpjekje për të çarë retë e mjegullën.

Vitet e para të pafajësisë u rrokullisën shpejt dhe mua më kujtohen ato pak lojëra në oborr dhe në kopshtin tënd, të mbushur me kumbulla; bisedat me gjyshen tënde të këndshme në dhomën e sobës dhe biblioteka e pasur e shtëpisë. Tani po mundohem të kujtoj detaje të tjera, por si harraqe që jam, nuk mbaj mend fakte. Këtu në ekran më del vetëm ti, e veshur me një fustan me lule, me sandale të sheshta, me flokë gështenjë dredha-dredha, me syze rozë dhe sytë si bajame… me lëkurën tënde të bardhë të paprekur nga dielli… që kërcen si balerinë mespërmes oborrit, me ngazëllim dhe pafajësi, ndërsa unë të vështroj e ulur te shkallët, sepse nuk marr vesh fare nga baleti. Dhe krejt papritur kuptoj se kam kapërcyer vitet dhe duhet të jetë viti 2005. Sërish, nuk mbaj mend nëse kemi bërë biseda për gjinjtë e zhvilluar apo qimet pubike; për djemtë që pëlqenim apo na ngacmonin; për marrëdhëniet kontradiktore me prindërit. Me siguri po, përndryshe… nuk do kishim çfarë të flisnim në atë moshë…

Mos! Tani m’u kujtua kur theve krahun dhe shokët e shoqet e klasës talleshin me ty. Unë nuk kisha sesi të të mbroja dhe rrija indiferente. Sa gabim kam bërë! Përse nuk më kërkove ndihmë? A vlen nëse të kërkoj falje tani?

Një tjetër detaj: babi yt të kishte varur te dera e dhomës një tabelë me orare që ti dhe vëllai yt duhet t’i zbatonit rreptësisht. Në të kishte orare për të mësuar, orare për të ngrënë, orare për të luajtur dhe orare për të fjetur. Atëherë më vinte habi, tani kuptoj që po të mos kishte qenë ajo tabelë ti nuk do të ishe bërë kaq e përpiktë sa je sot…

Më pas, ndodhi ajo që ty të tronditi themelet: babi yt u prek nga një sëmundje terminale dhe brenda pak kohësh iku. Po, e di që isha aty kur ti i the lamtumirë, por më pas ti zëre se nuk fole fare më për të dhe unë zëre se nuk ta përmenda më, sepse kisha frikë nga plaga jote e hapur…

Dhe kështu u rrokullisën vitet e mbetura pa të, derisa ne filluam studimet e larta dhe u përkushtuam me po të njëjtin zell dhe thurëm po të njëjtat ëndrra (apo nuk i thurëm?).

Në vitin 2010, unë u arratisa prej teje (dhe prej vetes) dhe që prej atëherë kam qenë në kërkim të një gjysme që ma mori dikush që ti e quan “Zot” dhe unë e quaj “Djall”. Kur të takova pak muaj më vonë dhe të shpreha nevojën time të dëshpëruar për dikë që “të më dojë vërtet”, ti qeshe por unë ndjeva se thellë-thellë ti ndjeve keqardhje dhe zemërim ndaj meje. Nga njëra anë, sikur doje të më fashitje raskapitjen nga lëkura, nga ana tjetër, të më shporrje njëherë e përgjithmonë nga jeta jote.

PO SOT?

Sot unë nuk e di ku je (në të vërtetë, them, jo ku punon apo me kë e ndan shtratin). Nuk e di me të vërtetë ku je në raport me veten, me njerëzit, me mua. Sa vite duhet të pres që të të shoh rastësisht dhe sa vite të tjerë që të të përshëndes me dorë?

NUK E DI.

Koha e “pushimit” po më mbaron. E di që koha nuk matet me minuta, por me rrahje zemre. Meqë ti këtë letër nuk do ta lexosh, mua më mbetet vetëm të shpresoj që… një ditë… ti do të ulesh këmbëkryq, do të shohësh qiellin dhe do të gjesh portretin tim në shkëlqimin e një ylli. Atëherë unë do të besoj se aty lart ka një Zot (siç beson dhe ti) dhe se të dyja do të bëhemi një ditë banore të Qiellit a Nëntokës e do të luajmë lojërat e kopshtit me kumbulla para shtëpisë. Por deri atëherë, ndoshta do të duhen vite.

Sot për sot, unë e di që nuk do të jem e ftuar në dasmën tënde dhe që ti nuk do të vish dot në funeralin tim.

Në vend të lamtumirës

Lediona Braho.interviste video xhs

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s